Përfitimet e Javës së Projekteve në Gjimnazin “Xhelal Hajda – Toni”

Data e Publikimit 6 Qershor 2021

Nga mëngjesi i 27 prillit 2021 kishte një entuziazëm midis të gjithë nxënësve në Gjimnazin ‘’Xhelal Hajda – Toni’’

Nga mëngjesi i 27 prillit 2021 kishte një entuziazëm midis të gjithë nxënësve në Gjimnazin ‘’Xhelal Hajda – Toni’’ në Rahovec për të shfaqur projektet e realizuara në kuadër të Javës së Projekteve. Shkolla partnere e Programit ‘’Përkrahje e adoleshentëve pas mësimit të rregullt’’ – ASSET i financuar nga USAID kishte organizuar një ngjarje të veçantë për të shënuar aktivitetin duke ftuar edhe hisedarë të tjerë në prezantimin e projekteve të punuara.

Java e Projekteve, u manifestua duke u bazuar në njohuritë e mësimdhënësve të fituara gjatë trajnimit në kursin Mësimdhënia e Bazuar në Projekte, metodë mësimore e cila mundëson konkretizimin e mësimit teorik, dhe ndërlidhjes së fushave/lëndëve të ndryshme mësimore në mes veti dhe me botën reale. Ky aktivitet dëshmoi se nëse mësimdhënësit bashkëpunojnë gjatë planifikimit në arritjen e rezultateve mësimore, dhe përfshijnë nxënësit në krijimin e dijes së tyre, mësimi do të jetë shumë më atraktiv dhe kuptimplotë. Për një periudhe 2 mujore, mësimdhënësit dhe nxënësit e këtij gjimnazi ishin angazhuar në planifikimin dhe realizimin e 6 projekteve mësimore që ofrojnë një larmi aktivitetesh dhe hulumtimesh në art, shkencë, matematikë, dhe fusha tjera mësimore në shkollë. Gjatë këtij procesi mësimor, nxënësit patën rast në veçanti të zhvillojnë dhe aplikojnë shkathtësitë e buta, të nevojshme për jetë dhe punë, siq janë, puna ekipore, zgjidhja e problemeve, kreativiteti, komunikimi me të tjerët, përgjegjësia ndaj punës dhe të tjerëve, etj., të cilat kontribuojnë drejtëpërdrejtë në zhvillimin e komptencave kryesore nga kurrikula shkollore.

Nga gjashtë projektet e realizuara si - Motivacioni i mësimit gjatë pandemisë, Ekspozita kolektive e nxenësve, Numri ∏ PI, Uji në natyrë, Partitë Politike, Të ushqyerit në sport, përfaqësuesit e Programit monitoruan prezantimin e projekteve Uji në natyrë dhe Ekspozitën kolektive të nxënësve.

Organizimi i Javës së Projekteve në Gjimnazin “Xhelal Hajda – Toni”, Rahovec

Nxënësit së bashku me mësimdhënësit kishin bërë përpjekje për të eksploruar mënyra të ndryshme të të mësuarit, duke paraqitur se si përvojat e dobishme edukative jashtë klasës janë një përpjekje e vlefshme që nxënësit të sfidojnë vetën në forma të ndryshme. Gjatë prezantimit të projektit Uji në natyrë, kuptuam që nxënësit janë ekspozuar ndaj aktiviteteve të reja dhe kishin përjetuar përvoja grupore. Për nxënësen Elona Spahiu e cila prezantoi projektin ‘’Rrjedhja e ujit të improvizuar’’ angazhimi në këtë aktivitet ishte interesant sepse nuk është përjetuar si punë e vërtetë përshkak të atraktivitetit. Ndërkohë, shoku i saj Anes Zika i cili prezantoi burimet dhe rëndësinë e tyre për Komunën e Rahovecit tregoi për ne përjetimin e tij në realizimin e projektit. ‘’Ne jemi duke jetuar afër burimeve të lashta dhe ka shumë pak vizitor. Dëshira ime është që të promovojë Rahovecin sepse ka shumë histori të lashtë dhe bukuri të veçanta. Falë këtij aktiviteti kemi mësuar si t’i prezantojmë më mirë bukuritë e vendit’’ – u shpreh ai.

Periudhën intensive e të mësuarit, dhe po aq argëtuese e shfaqën edhe nxënësit të cilët ishin mbledhur në hollin e shkollës. Pjesëmarrësit ishin angazhuar duke i vendosur piktuarat e realizuara në korridorin e shkollës. Nga kjo u kuptua qartë që bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve në realizimin e Javës së Projekteve është kruciale/ e rëndësishme pasi nxënësit punojnë ngushtë me të tjerët dhe ndajnë mendimet e tyre me grupin dhe këtë përvojë të mrekullueshme jo të gjitha shkollat e ofrojnë.

Në fund, menaxhmenti i gjimnazit e konsideroi Javën e Projekteve si një pjesë integrale të kurrikulës, dhe që realizimi i tyre do të mbetet traditë, sepse ky aktivitet do të futet në në planet vjetore të shkollës.